Andrrat që gjethet i kanë

<<M>>, Prishtinë.
ora 23:00

ngjyrat portokall dhe vjollcë
nën tingujt prej Tirane
vallëzojnë para syve të mi.
i mbyllë sytë…

i hap prapë; ora 13:00

shikoj si ecin mbrapshtë shtëpitë
prej dritares së trenit Pejë-Prishtinë.

I mbyllë sytë prapë.

Ora 13:00
Zbres prej shkallëve të trenit, e ajo asht duke m’pritë aty. I buzëqesh, dhe e mbërthej në durtë e mia jo shumë t’mëdha.
Duart’ m’rrinë rreth trupit t’saj, e buzët ia puthin flokët; ajo m’shikon në sy. I them që e dua, edhe pse kuptimin e kësaj nuk asht që e di.
Sytë e saj janë plotë dritë, e me atë buzëqeshje n’fytyrë, si duke kërku diçka prej meje, m’puthë në faqe e largohet bashkë me mu.
Ecim rrugëve të Pejës, rrugë të cilat nuk i kam shkelë kurrë, e drejtohemi për në parkun e këtij qyteti.
Rrugët e ngushta këtu ma kujtojnë vendin ku jam rritë: aroma e njajtë, ngjyra e njajtë, ndërtesat dy-katëshe që tentojnë me e ndalë shiun që pikë- pikë bie mbi to nga pak, e dyqanet e vogla që dorë për dore e mbajnë njëra tjetrën na përshëndesin me rrobat e vjetra që lëkunden në dritaret e tyre.
Flasim për gjana që nuk i kuptojmë e i japim kuptim gjanave që me gjasë nuk kanë kurrfarë kuptimi, e vazhdojmë me ecë sikur mos me qenë këtu.
Mbërrijmë në park. Ecim shtigjeve të ngushta të këtij vendi e diskutojmë për atë se a i dhemb shiut kur bie diku, a i dhemb vendit kur shiu bie mbi të, e se si ka mundësi diçkaje të pavetëdijshme me i dhimbt’ diku.
Ulemi nën një dru, të cilin ajo e njihte për një kohë të gjatë, e ajo m’flet se si një pjesë t’madhe të fminisë së saj e ka kalu këtu. M’flet për shoqninë e saj, për njerëzit me t’cilët ka ndejtë në këtë vend, e unë e shikoj si me e pas pa për herë të parë. I painteresum për gjanat për të cilat fliste po vetëm i interesum në të, në prezencën e saj, në atë se çka asht tash e jo në gjanat që e kanë ba atë ajo që asht, e shikoj, e ndonjëherë i buzëqeshë, sa me i thanë, “Faleminderit që je këtu, në këtë kohë, në këtë vend, e faleminderit që m’njeh e t’njoh”.
Largohemi nga aty e shkojmë në parkun e lodrave për fëmijë.

Ora 11:00
Ditë e enjte, parku gati krejtë i zbrazun, e ajo shkon e ulet në njërën prej luhatëseve e unë e lëkund. Ajo buzëqesh e m’thotë që kurrë nuk e ka paramendu këtë gjë, që unë do t’jem në Pejë një ditë, e do t’rri vetëm me të… ajo mendon që asht e bekume e me fat që unë jam aty, e unë nuk besoj në fat, as në bekim, po e di që nuk ka ndonjë vend tjetër ku do t’isha në këtë moment, përveq se aty, me të, duke fol për asgja.
Pas pak e gjejmë veten të ulur përballë liqenit të Pejës, e mahnitemi me formën që çdo dru e ka, me ngjyrat që drunjtë e gjethet e tyne marrin në stinën e vjeshtës, kur çdo gja fillon me vdekë, e se sa e bukur vdekja asht.
Ajo m’thotë, “A thu, a kishte me qenë vjeshta kaq e bukur po t’i kishte krejtë ngjyrat, si ylberi?”.
E unë nuk e di, unë nuk e di as se a do të ishte ylberi kaq i bukur po t’i ngjante vjeshtës. Po i them se që çdo gja asht aq e bukur sa asht, se nuk ka tjetër si ajo.

Ora 9:00
Largohemi nga parku në të njëjtën rrugë prej nga erdhëm, e drejtohmi për në stacion të trenit. Mbërrijmë aty, futemi në tren, ulemi në karrike, e gjumi sa nuk na merr. Flasim ndonjëherë me gjysmë zëri, e sytë gati sa nuk na mbyllen. Shtëpitë ecin mbrapshtë, njëjtë edhe drunjtë, urat, fushat e zogjtë që i ngjajnë sorrave, sorrat, loptë e delet… e edhe ne.
Rruga kalon shpejtë, si në andërr, e ne e gjejmë veten duke e pritë trenin në një kafiteri ‘palidhje’ afër stacionit të trenit në Prishtinë.

Ora 7:00.
Drita e diellit sapo kishte fillu me i prekë dritat e ballkonëve të Dragodanit, duke i ndalë ato. Në këtë kohë të mëngjesit, dikush, çdo herë vrapon. Ne rrimë aty për pak, pastaj dalim jashtë. Ulemi në karrikat mbas Banhoffit, e i shikojmë rrezet e diellit se si dalëngadalë largohen prej ndërtasave e drita zbehet, duke tregu që po bahet natë. I them që do të vi edhe unë në Pejë, pasi që kurrë nuk kisha hip në tren, e kur të mbërri atje, do të kthehem me trenin tjetër.

Pastaj ngritemi prej aty, e vazhdojmë ecim nëpër Prishtinë, deri sa mbërrijmë pranë një burektoreje afër Aurorës. Unë ha picë me kërpudha, e ajo nuk merr asgjë. Qielli i Prishtinës tani ishte i errët, e dielli, diku pas maleve, i dërgonte disa rreze të dobëta mbi ndërtesën e RTK-së. Mëngjesi ishte afër.
Largohemi nga aty, e vazhdojmë të ecim edhe pak nën qiellin e errët të Prishtinës; nëpër rrugët e mbushuna me asgjë përveç se me aromë nateje, me zëra korbash, e me ne, që flisnim si n’delir për spiritualitetin, njeriun, andrrën, realitetin, e edhe për Butën. Keh, Butën…

Ora 4:30.
E gjejmë veten pas pak në njërin prej lokaleve në shesh, i cili tashma ishte i mbyllun, po si për knaqësinë tonë i kishte lënë plafat jashtë. Ulemi aty, e si në ekran, hamë banane, qokolladë, e i shikojmë e gjykojmë njerëzit që ishin duke u kthy për në shtëpi prej lokaleve ku kishin qenë. Rrimë aty për një kohë, e pastaj roja i lokalit del e na thotë, “Po, mundeni me ndejtë aty sa të doni.” I themi faleminderit, e largohemi prej aty.
Nëpër sheshin Zahir Pajaziti, mbërrijmë në një dyqan, hymë mbrenda, e bëjmë pagesën, i marrim disa gjëra, ujë, qokolladë, qips, banane… dhe dalim jashtë.

Ora 3:00
Sheshi dukej pak më i gjallë. Nuk i kthej përgjigjem një plaku, se mendoj se po flet përqart, nuk e dëgjoj mirë, “Mirëmbrëma!” më thotë.
Mbërrimë në <<M>>. Ngjitemi në kat të dytë, ku nuk ishin më shumë se 30 njerëz që po kërcenin aty. I heqim palltot, e shkojmë shtrihemi në një kanape që ndodhet aty. Shtrirë aty asht edhe një vajzë tjetër, e cila rri pak, e unë i them, “Yes, of course you can sit here.”, ajo ngritet, dhe me buzëqeshje m’thotë, “Can I sit here?”.

Ora 2:00.
Ngjyrat vazhdojnë me vallëzu, portokall dhe vjollcë, e njerëzit vetëm shtohen, ndoshta 50 tash.

Ora 1:00
M’pyet se prej nga çka kam frikë… i them prej gjarprinjëve dhe grupeve të njerëzve që e humbin veten në ideologji të caktuara. E pyes edhe unë… nuk përgjigjet.

Ora 24:00
Flasim për diçka të cilën nuk e mbaj mend, dhe i mbyllë sytë.

Ora 23:00
I veshim palltot, zbresim shkallëve, shkojmë në shank. Prej aty dalim, vazhdojmë me ecë rrugëve të Prishtinës.

Ora 22:00
Një e mërkurë tjetër,
një tjetër ditë…
ne jemi në Dit’ e Nat’
e ajri akoma mbanë aromë kërpudhash.

Ora 21:00
Ajo m’përqafon, e largohet.
Unë e di që nuk do t’rrijë aq gjatë. Jo t’gjithë i përkasin drunjëve.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s